Fatmira Hajdari në vetting/ Përlotet në sallë, KPK i nxjerr probleme në pasuri dhe figurë

Nga A2 CNN
15 Qershor 2020, 19:31 | Aktualitet
Fatmira Hajdari në vetting/ Përlotet në sallë, KPK i nxjerr

Mbërriti e buzëqeshur në sallën e përballjes me komisionerët e vetting-ut. Por, gjatë seancës 4-orëshe, pati momente kur u përlot. Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, e veja e deputetit të vrarë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u përball me përfundimet e Komisionit që flisnin për probleme të theksuara të pasurive të saj.

Sipas Komisionit, Hajdari kishte pasaktësi në deklarimet e disa pasurive ndër vite, dhurimet e të afërmve apo dashamirësve të familjes. Problematik u konsiderua ndërtimi i një pallati 10-katësh në truallin e familjes pranë banesës së saj në Rrugën e Elbasanit në Tiranë, prej djalit të saj dhe një shoqërie private. Sipas KPK, ndërtimi ishte pa leje dhe mbi një pjesë toke që nuk ishte pronë e tyre.

Në një analizë financiare, KPK pretendoi se Hajdari, në harkun kohor 2003-2016, kishte gati 60 milionë lekë të pajustifikuara në burime të ligjshme.

Në lidhje me kriterin e figurës, DSIK e vlerësonte të papërshtatshme gjyqtaren Hajdari, me argumentin se ajo nuk kishte deklaruar faktin se i ishte refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Hajdari u përlot, duke thënë se ishte ndier e fyer që ishte vënë në diskutim figura e saj, duke thënë se kur kishte plotësuar formularët vetting nuk kishte pasur dijeni për revokimin e vizës.

Ajo risolli para trupës vitet e saj të vështira, kur ndjehej e rrezikuar dhe për këtë shkak, fëmijëve u ishte ofruar azil politik në Francë dhe SHBA. Gjyqtarja këmbënguli se çdo pasuri e saj është e justifikuar dhe se mospërputhjet në deklarata vinin për shkak se në vitet e krijimit të pasurive kishte informalitet.

“Ju jap fjalën e nderit se kam qenë një nga gjyqtaret më të pastra në Republikën e Shqipërisë”, tha Hajdari.

Nga ana tjetër, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, shprehu habi përse djali i gjyqtares kishte marrë një kredi 2 vjet para se ta përdorte atë për rikonstruksionin e një lokali në Qytetin Studenti, që më pas, edhe pse rezultonte pa fitim, ishte shitur për 160 mijë euro.

Vendimi përfundimtar ndaj gjyqtares Hajdari pritet të shpallet më 18 qershor.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos