
Vrulli i rritjes së çmimeve nuk është ndalur këtë fillimviti, sipas asaj që raportojnë importuesit në Shqipëri. Teksa INSTAT raporton për një nivel inflacioni total prej 7.2% dhe 13.3% për ushqimet, tregtarët zbulojnë se në markete kanë vazhduar rritjet e forta.
Në rafte, tregtarët raportojnë për një shtrenjtim mesatar të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 10 deri në 15%, nga dhjetori në janar.
Ndërsa çmimet e tjera për detergjentët janë rritur deri në 17%, për letrat deri në 19%, për pijet e forta deri në 30%, për birrat deri në 15%, për bulmetet e importit deri në 12.5%, ëmbëlsirat në varësi të markës deri në 45% dhe uji i importit deri në 22%.
Tregtarët presin që çmimet të stabilizohen në pjesën e dytë të vitit. Me stabilizimin e çmimeve, Bashkimi Tregtar i Shqipërisë ka nisur edhe një kërkesë pranë Ministrisë së Financave për shkrirjen e bordit të ushqimeve.
Sipas bizneseve, pavarësisht se prej muajsh nuk ka një vendim për çmimet, ekzistenca e bordit po keqpërdoret nga inspektorët për presion gjobash. (A2 Televizion)