Qeveria po kristalizon idenë se sa para duhet të nxjerrë nga “xhepi” për dëmet e tërmetit. Nga mbledhja e Komitetit të Rindërtimit, Kryeministri Rama shpreson që shifra të rritet edhe me ndihmën e donatorëve.
“Ne kemi konsideruar 20 miliardë, me të ardhura buxhetore dhe donacionet. Por pritshmëritë për donacione janë të konsiderushme dhe mendoj se do të shtohen pasi kanë nisur diskutimet në nivel bilateral dhe me vende të tjera. Fondi do të jetë dinamik dhe do të shtohet edhe me alokime nga buxheti në vijim. Do të ketë një program te veçantë buxhetor”, tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë foli për urgjencën e një ligji të ri për rindërtimin, ku ndër të tjera ndërtuesve do t’i jepen dy mundësi për 3% për nevojat sociale.
“Ose duke dhënë paratë në fond ose duke garantuar apartamente sipas kritereve për familjet në nevojë”, tha Rama.
Rama duket se një tërheqje veshi e ka pasur edhe për administruesit e situatës post-tërmet, ku duket i vetëdijshëm se në horizont mund të ketë edhe nga ata që duan të përfitojnë në kurriz të të tjerëve.
“Ka shenja spekulantësh dhe ka shenja mashtruesish. Ka raste se po i bien me varre mureve të shtëpisë se do i bëjmë shtëpitë. Unë i them të gjithëve që të mos bëjnë aventura të tilla”, tha Rama.
Një tjetër mbështetje që dha shefi i qeverisë, ishte për ndërtimet individuale apo edhe për fondacionet, donacionet për të cilat do ti menaxhojnë vetë.
Gjatë kësaj jave, familjet që patën humbje në njerëz nga tërmeti, do të hyjnë në banesat e tyre të reja.
(A2 Televizion)