
I ftuar në "Dita jonë" në A2 CNN, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, foli edhe për problemet e fermerëve në vend, duke theksuar se në qeveri ka njerëz që nuk dëgjojnë me mendje e zemër.
“Ka një problem, që nga unë i pari e deri te më i fundit, nganjëherë priremi ose të bëjmë sikur dëgjojmë ose të mos dëgjojmë as me mendje e as me zemër. Këta njerëz, që sot temperatura është 8 gradë, janë në punë në serra, më mirë seç e dinë ata hallin e tyre, nuk mund ta dijë askush tjetër. Këta që janë sot, njerëz me pushtet, nuk e bëjnë dot llogarinë e tjetrit.
Në momentin që ti nuk dëgjon as me mendje dhe as me zemër, nuk i kupton ata njerëz. Mund t’iu thuash që: Shiko, kjo që po them unë është më e mirë për ty. Në fakt, ata nuk e ndjejnë të mirën që ti mendon se po i injekton atyre. Ka njerëz në qeveri që nuk dëgjojnë as me mendje dhe as me zemër. Të paktën në aspektin e bujqve, blegtorëve, ekonomia bujqësore është shumë e madhe”, u shpreh Braçe në A2 CNN.
Braçe u shpreh më tej se në tremujorin e dytë, i vetmi sektor që nuk pati rritje ekonomike ishte bujqësia. “Nëse ishte një sektor që kërkonte mbështetje, ishte pikërisht ky sektor. Duhej të stimulohej. Ndërkohë, pësoi regres”. (A2 Televizion)