“Ferri” afrikan, 42 të vdekur në një ditë në Algjeri, mes tyre edhe 25 ushtarë

Nga A2 CNN
11 Gusht 2021, 11:45 | Bota

Zjarret në Algjeri i kanë marrë jetën 42 personave vetëm gjatë ditës së martë, mes të cilëve edhe 25 ushtarë të cilët ishin duke punuar për shuarjen e flakëve. Ata humbën jetën pasi re të mëdha tymi mbuluan rajonin malor Kabylie.

Me dhjetëra vatra të tjera janë aktive në pyjet në veri të Algjerisë që nga e hëna, bëri të ditur ministri i Brendshëm Kamel Beldjoud, i cili theksoi se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi.

“Vetëm duart kriminale mund të arrijnë të ndezin njëkohësisht 50 vatra në disa zona të ndryshme”, tha ai.

Kamel Beldjoud bëri të ditur se me dhjetëra ushtarë të tjerë kanë përfunduar në spital nga asfiksia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos