Tre ditët e fundit, thuajse në të gjitha pikat kufitare të vendit është shtuar ndjeshëm fluksi i ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit, Krishtlindja dhe Viti i Ri.
Pikat kufitare të Kakavijës, Kapshticës, porti detar i Durrësit dhe ai i Vlorës, po përballojnë flukse gjithnjë në rritje të personave që futen në vendin tonë. Një numër i konsiderueshëm është edhe ai i automjeteve që futen në Shqipëri.
Për të përballuar këtë fluks thuajse në të gjitha pikat kufitare të vendit është shtuar numri i sporteleve të përpunimit në mënyrë që të mos krijohen radhë të gjata. Nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme, ardhja e emigrantëve vijon edhe pas Krishtlindjes, por me një intensitet më të ulur. Çka do të thotë që 2-3 ditët e fundit para Krishtlindjes shënojnë edhe fluksin më të madh të hyrjeve në vendin tonë.
Ndërkohë, krahasuar me një vit më parë, numri i emigrantëve që ka ardhur në vendin tonë këtë vit është thuajse në të njëjtat nivele krahasuar me një vit më parë.
Ndërsa ka pika kufitare si ajo e Kapshticës që kanë shënuar numër më të vogël të hyrjeve deri me 10% krahasuar me një vit më parë.
Sakaq, numri i shtetasve shqiptarë që largohen nga vendi për festat e fundvitit llogaritet në masën 30-35% më pak të numrit të personava që vijnë në vendin tonë. (A2 Televizion)