
Fidel Ylli, i cili sapo u zgjodh President i Komitetit Olimpik Shqiptar, ndërsa është edhe kandidat i PS në zgjedhjet e 25 prillit, ishte i ftuar në Ditari në A2, nga ku foli për zgjedhjet në KOKSH si dhe pritshmëritë nga zgjedhjet e 25 prillit.
Zgjedhja në krye të KOKSH
“Nuk doja të hyja në këtë garë pasi ishte një situatë shumë e keqe, me sherre të brendshme dhe unë nuk doja të bëhesha pis aty. Më bindën federatat, u mblodhën një ditë, më thirrën në një takim dhe më thanë: Këtë sherr vetëm t’i mund ta shuash. Duhet të vish ti, me autoritetin që ke, me punët që ke bërë për sportin, që sporti të ndryshojë. Sado ti të punosh në parlament, më thanë, na rrite buxhetet, por po patëm këtë situatë, s’ka asnjë vlerë. Më bindën të bëhesha pjesë e një posti honorifik, nga i cili nuk ke asnjë përfitim, thjesht duhet të japësh kontribut për sportin”
Por sa të përballueshme janë dy gara për Fidel Yllin?
“Një garë ishte shumë e lehtë për mua dhe kaloi shumë shpejt. Votimi ishte shumë i qetë. Kandidatët i dhanë dorën njëri-tjetrit. Nuk e ndalonte ligji të kandidoja për deputet, as ligji i sportit dhe as karta olimpike. Janë shumë deputetë në komitet olimpike të tyre që janë edhe në parlament. Ai është një post honorifik”.
Fushata elektorale e Fidel Yllit
“Për mua, fushata është e qetë. Janë disa momente sporadike që opozita kërkon t’i politizojë, por në fakt nuk është kështu. Në Kavajë u arrestua ai që qëlloi dhe gjykata do të vendosë për atë sherr banal. Ju e patë se çfarë ndodhi nga PD. Politika në Shqipëri është pak e ashpër. Ne duhet të japim disa mesazhe që mund të jemi kolegë, mund të jemi shokë, mund të flasim ndryshe nëpër korridore kur takohemi, por kur jemi atje fillojmë dhe shajmë njëri-tjetrin. Unë nuk shaj dhe nuk fyej asnjeri në fushatën time. Unë përballë kam Flamur Nokën, të cilin e kam shokë, por atje do të fitojë PS.
Pse e meriton PS mandatin e tretë?
“Të bësh gabime është njerëzore. Në 8 vite, PS ka bërë ato reforma që nuk janë bërë në 100 vjet në Shqipëri. Sa i përket fushatave, asnjëherë premtimet nuk mbahen 100%, pasi ka çedime rrugës, ke buxhetin që mund të ndalojë, pasi e gjen edhe me borxhe të majme, siç Berisha i la rrugët rrugëve. Ne e morëm përsipër borxhin. Ne duke bërë reforma, të jeni të sigurt që edhe borxhi do të shlyhet. E para është se ne erdhëm me një buxhet gati 1 miliard borxhe dhe arritëm t’i shlyejmë. Ekonomia filloi të marrë frymë.
Ftesa e Ramës për bashkëpunim me Bashën...
“Ftesa u bë, pasi Rama kërkon të hyjë në Europë. Mesazhi nuk ka të bëjë me sigurinë, por do t’i thotë Europës që ne duam ta ftojmë opozitën që të bashkëpunojmë, jo që ta fusim në qeveri. Ndodh kjo apo jo, më 25 ne do të fitojmë sepse na e kanë lehtësuar edhe këta”.
“PS do të qeverisë e vetme, pa nevojën e aleatëve”
“Unë nuk jam që PS thotë do të marrë 78 apo do të marrë 87. Unë ua jap me fakte që ne do të jemi fitues. Ne do ta marrim vetë pushtetin, pa nevojën e aleatëve. Këtë e them mbi bazën e argumenteve dhe fakteve që ju kishit këtu në studio kryetarin e PBDNJ. Unë nuk e kuptoj se si mundet që kjo parti të jetë në koalicion me çamët. Dule të shkojë të flasë me qeverinë greke dhe çamëve t’u kthejë tokat”. (A2 Televizion)