
Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është zyrtarisht në listën e ngushtë për çmimin më prestigjioz "Oscar" në kategorinë e filmave të huaj. “Zgjoi” arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke u bërë pjesë e listës së ngushtë të 15 filmave të nominuar në edicionin e 94-të të “Oscar” për çmimin “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.
Në këtë garë historike, filmi kosovar kandidon kundër disa filmave nga Austria, Gjermania, Italia e deri te Japonia. Filmi "Zgjoi" është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga fshati Krushë e Madhe në Kosovë, e cila pavarësisht vuajtjeve që përjetoi për humbjen e bashkëshortit të saj, i cili u zhduk së bashku me 225 burra tjerë të fshatit, gjatë luftës në Kosovë, nisi një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes.
Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal, duke ngjallur shpresë për të ardhmen e duke u ngritur mbi mentalitetin të mjedisit që rrethon.
Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj dhe pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Filmi “Zgjoi” është shpërblyer me tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival 2021, si dhe është fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare. (A2 Televizion)