Pushteti vendor dhe zgjedhjet, bashkitë rritën me 22% borxhet e pashlyera

Nga A2 CNN
21 Korrik 2023, 11:03 | Ekonomi
Pushteti vendor dhe zgjedhjet, bashkitë rritën me 22% borxhet e

Një numër i madh bashkish rritën detyrimet e prapambetura për tendera dhe pagesa të tjera në pjesën e parë të vitit. Periudha që përkoi me fushatën dhe zgjedhjet vendore, i rriti borxhet e papaguara në 6,6 miliardë lekë në qershor, nga 5,4 miliardë në fund të vitit 2022, për një shtesë prej 1,2 miliardë lekësh apo 12 milionë eurosh. Prej këtyre borxheve, tani një pjesë e bashkive klasifikohen zyrtarisht me vështirësi financiare.

Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, u shpreh: “Ka pasur disa bashki që gjatë vitit 2022 kanë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura. Ka pasur rritje të stokut mbi 10% për Bashkinë Libohovë, e cila aktualisht, sipas raportit, është një bashki me probleme financiare. Kemi pasur një rritje nga 5-10% për bashkitë Kurbin, Përmet, Peqin dhe Devoll. Kemi pasur rritje 1-5% për bashkitë Selenicë, Gjirokastër, Dropull, Tiranë, Shijak, Dibër dhe Dimal. Disa bashki vijojnë të jenë me probleme, të cilat janë Peqini, Tropoja, Pogradeci, Delvina. Nga ana tjetër, Dimali ka kaluar në vështirësi financiare”.

Sipas ministres Ibrahimaj, bashkitë do të detyrohen të shlyejnë së pari këto borxhe përpara se të marrin fondet e mbetura nga buxheti. Ndërsa u ndal edhe tek taksa e re e pasurisë, si një mekanizëm që do të sigurojë të ardhura shtesë për pushtetin vendor. Formula e re e llogaritjes së detyrimit do të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe 2028. 

“Projektligjin mbi taksën e pasurisë, synojmë brenda vitit ta miratojmë, do të konsultohet gjerësisht dhe me Universitetin Ekonomik të Tiranës dhe Bujqësorin. Synohet të rritet ndjeshëm taksa mbi pasurinë, pritet të prekë gjithë popullatën. Synohet që taksa për banesat të hyjë në fuqi në vitin 2026 dhe për tokat bujqësore në vitin  2028. Taksa e pasurisë mbi vlerën reale dhe jo mbi çmimin e referencës”.

Taksa mbi banesat që paguajnë sot qytetarët llogaritet sa 0,05% e sipërfaqes së pronës shumëzuar me çmimin referencë të zonës. Ndërsa formula e re do të mbështetet mbi vlerën e tregut, duke diferencuar në taksë pallatet e vjetra dhe ato të reja brenda të njëjtës zonë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/28/arsyet-pse-bashkite-nuk-e-mbledhin-taksen-e-prones/

A2 CNN Livestream

Latest Videos