Kërkesa e kuvendit për AMF, metodologji për tarifa të diferencuara për sigurimin e automjeteve

Nga A2 CNN
20 Korrik 2023, 15:06 | Ekonomi

Siguracioni i automjeteve vitin tjetër mund të kushtojë më shtrenjtë nëse je i ri apo nëse je përfshirë në një aksident vitet e fundit. Ndryshimi në kosto mund të vijë pas një kërkese të Kuvendit drejtuar AMF-së, që i sugjeron të përfshijë faktorët e riskut në llogaritjen e vlerës së siguracionit.

Këtu përfshihet historiku i dëmeve, fuqia motorike, mosha e të siguruarit, eksperienca e tij, qarku ku është i regjistruar, vjetërsia e automjetit, apo edhe sa kilometra përshkon në një vit.

“Është një kërkesë e ndershme pasi diferencon grupet e drejtuesve të mjeteve. Ata që janë të rregullt dhe përmbushin kriteret e tjera të paguara do të paguajnë një primi sigurimi më të ulët se pjesa tjetër”, thotë Islam Qibini, ekspert i sigurisë rrugore.

Për ekspertët e fushës, shihet me vlerë të përfshihet në ndryshimet e reja, edhe rritja e mbulimit për dëmet e vogla në aksidente që zgjidhen në mënyrë miqësore, me qëllim shmangien e vonesave.

“Duhet që vlera minimale të mos jetë 30 mijë por 50 lekë e dëmeve materiale të vogla. Kjo do të bënte që këto lloj aksidentesh të zgjidheshin pa vonesa, vetëm me palët e përfshira në incident”, thotë Qibini.

Prej mbi dy vitesh, ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit ka përfshirë sistemin bonus malus, por që nuk është aplikuar nga asnjë prej shoqërive të sigurimit. Mosaplikimi i faktorëve të riskut krijon kosto shtesë të panevojshme për drejtuesit që nuk kanë kryer kurrë shkelje apo aksidente, ndërsa e bën më të lehtë për shoferët pa eksperiencë.

Të dhënat e AMF tregojnë se në 5-mujorin janar-maj kompanitë e sigurimeve kanë paguar më pak dëme për aksidentet rrugore. Nga 27.3 milionë në janar-maj 2022, vlera ra në 14.4 milionë këtë vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos