Fiorentina përballë Poznan në Conference League, Basel sfidon Nice

Nga A2 CNN
13 Prill 2023, 13:42 | Futboll
Fiorentina përballë Poznan në Conference League, Basel sfidon

Pas gjigantëve të futbollit europian, sot në mbrëmje do të luhen dhe ndeshjet çerekfinale të trofeut të vogël të Europës, Conference League. Fiorentina përballet me polakët e Poznan në shtëpi. Vjollcët e shohin këtë kompeticion si të vetmen rrugë për të shpëtuar sezonin dhe për këtë i kanë të gjitha mundësitë të paktën për të kaluar në gjysmëfinale.

Italianët konsiderohen favoritë në letër, ndonëse në renditjen e Serie A pozicionohen në vendin e 11 dhe jashtë çdo objektivi. Megjithatë, nuk kanë asgjë për të humbur dhe për këtë do të japin gjithçka vetëm për t’u kualifikuar më tej.

Ndeshje e fortë është ajo mes Baselit dhe Nice me takimin e parë që do të luhet në Zvicër. Lajmi i mirë është se të dyja skuadrat do të zbresin në fushë me formacionin më të mirë pasi nuk kanë asnjë mungesë.

Francezët nuk po kalojnë momentin më të mirë në Ligue 1 dhe e shohin veten ne vendin e nëntë, për këtë arsye, aventura europiane mbetet objektivi i tyre kryesor. Edhe Anderlecht-Alkmaar është një sfidë që premton një lojë të bukur dhe të luftuar. Belget vijnë në një formë të shkëlqyer pasi në 6 ndeshjet e fundit nuk kanë regjistruar asnjë humbje, ndërsa Alkmaar, pasi eliminoi Lazion në fazën play off, ka rritur ambiciet për të shkuar dhe më larg.

Ndërkaq, West Ham përballet me belgët e Gent. Anglezët edhe pse janë favoritë në letër, janë me sytë nga Scamacca që nuk u stërvit me skuadrën në seancën e fundit stërvitore dhe nuk dihet nëse do të jetë gati. Ndërkaq edhe belgët vijnë me shumë probleme pasi kanë shumë mungesa në mbrojtje dhe mesfushë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos