
Besimtarët mysliman në Shqipëri kanë mbushur sheshet publike e xhamitë për faljen e namazit të Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit ata kanë ndjekur ritualin e ceremonisë fetare duke uruar për më shumë shëndet e begati në familjet e gjithsecilit.
Në Korçë ceremonia e kësaj feste u mbajt përballë xhamisë "Iljaz Bej Mirahori". Myftiu i Xhamisë dhe besimtarët myslimanë uruan në këtë festë të shenjtë për bashkim, dashuri dhe falje.
Në Shkodër falja e besimtarëve është bërë në Xhaminë Ebu Beker. Myftiu ka bërë thirrje për mos largimin e të rinjve nga vendi.
Besimtarët e Elbasanit kanë kryer faljen e tyre në bulevardin qendror të qytetit. Në Vlorë ceremonia fetare është mbajtur në xhamin e Plumbit.
Në qytetin e Kukësit, qindra besimtarë falën namazin e Fiter Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit. Luten dhe shpresojnë në shpërblimin me mirësi e paqe.
Në xhamitë e Kosovës nuk ka pasur ceremoni të zakonshme, por u fal vetëm Namazi i Bajramit përshak të rregullave pandemike.
Në këtë ditë u dhanë mesazhe për tolerancë e solidaritet, por edhe kujdes ndaj virusit Covid-19.
(A2 Televizion)