
Brohoritje dhe fishekzjarrë për kampionin që shkruajti historinë në boksin shqiptar. Alban Beqiri u prit si hero, pas kthimit nga Beogradi, ku ngriti flamurin shqiptar, duke fituar medaljen e bronzit në Botërorin e boksit, arritja më e madhe për këtë sport.
Përkrah kampionit kuqezi të ringut, edhe trajneri i tij Sead Bushati, që edhe pse nuk ishte pjesë e delegacionit në event, ka merita të padiskutueshme në suksesin e arritur.
“Falënderoj të gjithë shqiptarët kudo, më kanë bërë të ndihem shumë krenar, kjo është më e rëndësishme se vetë medalja”, thotë ai për A2 CNN.
Alban Beqiri u rendit i treti në Botërorin e boksit dhe festën e tij në podium nuk arriti ta prishte as turpi i radhës nga serbët, me publikun që vërshëlleu flamurin kuqezi. (A2 Televizion)