Rey Manaj, ish-sulmuesi i Interit e Barcelonës, do ta vazhdojë karrierën e tij në Turqi te skuadra e Sivasspor-it, pas dëmtimeve e problemeve të sezonit të fundit me Watfordin në Championship.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare është prezantuar te skuadra që luan në elitën e futbollit turk me fjalët: “Nëse doni të fitoni, mos e humbni qëllimin tuaj, mbani mend, fitoret e mëdha arrihen duke luftuar”.
Pas dy ndeshjeve të para, Sivasspor-i mban vendin e tretë me 4 pikë, një fitore dhe një barazim, ndërsa sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 14.
Manaj nuk ka qenë pjesë e skuadrës Kombëtare në ndeshjet e fundit për arsye dëmtimi, ndërsa shumë të pakta janë shanset që ai të marrë një ftesë për dy sfidat e shtatorit, ndaj Çekisë në datë 7 dhe 3 ditë më vonë ndaj Polonisë në “Air Albania”. Megjithatë, ky transferim në futbollin turk pritet t’i japë më shumë minuta aktivizimi sulmuesit të cilat mund ta ndihmojnë atë të rikthehet sërish në nivelet më të larta. (A2 Televizion)