
Banorët në Shkup janë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale dhe e cilësojnë procesin si të drejtë dhe demokratik. Kandidati pro perëndimor në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, fitoi balotazhin të mbajtur të dielën, pas një fushate të dominuar nga përçarjet lidhur me ndryshimin e emrit të dakordësuar në marrëveshjen me Greqinë, që I hap rrugën anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO.
“Zgjedhjet ishin të qeta dhe pa probleme dhe ne shpresojmë që Maqedonia të ecë përpara në periudhën e ardhshme. Fitorja e Pendarovskit ishte e merituar”, thotë një qytetar. “Rezultati ishte I tillë, pasi LSDM pati 31 parti në koalicion, ndërsa VMRO-DPMNE pati shumë pak aleatë. Kutitë e votimit u mbushën plot dhe ne jemi të lumtur me këtë”.
“Mendoj se zgjedhjet shkuan mirë. Të dy kandidatët ishin të mirë dhe nuk pati parregullsi. Prandaj rezultati u pranua nga të dy. Po jam shumë e kënaqur me rezultatin dhe me fituesin”, shprehet një votuese shqiptare. “Në përgjithësi jam I lumtur. Më e rëndësishmja është që u arrit pragu I pjesëmarrjes dhe që zgjedhjet ishin të drejta, demokratike dhe me atmosferë të mirë”.
Presidenti mban kryesisht një post honorifik në Maqedoninë e Veriut, megjithatë është komandant I forcave të armatosura dhe nënshkruan legjislacionet parlamentare. (A2 Televizion)