
Kryetari i partisë shqiptare, BDI, Ali Ahmeti, ka falënderuar të gjithë qytetarët që kontribuuan që procesi zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të Maqedonisë së Veriut të kalojë pa probleme.
Në një konferencë për media Ahmeti tha se demokracia konsensuale është një nga parimet e marrëveshjes së Ohrit dhe alternativa e vetme e vendit drejt rrugës së anëtarësimit në NATO dhe BE. “Sot dëshmuam se vendi është i përgatitur dhe pret sa më parë të fillojnë bisedimet për anëtarësim në BE”, tha ai.
Sipas zyrtarëve të BDI, të paktën 90 000 vota shqiptare kanë përkrahur kandidatin e shumicës që qeveris vendin. Ndërsa vetë Ahmeti përmes një postimi në Facebook tha se për kandidatin e LSDM kishin votuar 100 000 shqiptarë.
Pavarësisht frikës për mos arritjen e numrit minimal të detyrueshëm të votuesve, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve atje, pjesëmarrja ka qenë në nivelin 44,5%, çka nënkupton se zgjedhjet janë të vlefshme. (A2 Televizion)