Fleta e votimit, PD bën ankimim në Kolegjin Zgjedhor

Nga A2 CNN
4 Prill 2021, 10:29 | Politikë
Fleta e votimit, PD bën ankimim në Kolegjin Zgjedhor

Partia Demokratike ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor fletën e votimit. PD-ja kërkon anulimin e fletës me numra dhe rikthimin e fletës me emra.

Sot në mëngjes u hodh shorti në Kolegj dhe u përcaktua trupa e gjyqtarëve.

Trupa do të përbëhet nga Gentjan Medja, Alma Kolgjoka, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Asim Vokshi. Seanca do të mbahet sot, në orën 16:00.

Komisioni i Ankimimit dhe Sanksioneve (KAS) pranoi kërkesën e Partisë Socialiste për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa rrëzoi propozimin e Partisë Demokratike. Pas këtij vendimi, reagoi Ivi Kaso, nga Partia Demokratike.

“Rama sheh sondazhet e vërteta, sheh qytetarët që duan ndryshimin. Ai po përpiqet të manipulojë me çështjen e logos. Vendimi i sotëm është në shkelje të ligjit. Ata po mundohen të ngatërrojnë sot shqiptarët. Ne do ta apelojmë vendimin. Çështja e dytë i përket vendosjes së emrave. Rama është i turpëruar nga lista e kandidatëve dhe nuk do që qytetarët t’i shohin ata. Rama e di që ne nuk do të biem dakord për zgjedhje të padrejta. Shqiptarët janë të ngopur me manovrat e tij të ndyra”, u shpreh Kaso. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos