Flirton me mazhorancën, PDIU bashkon votat me PS, 78 kundër shkarkimit të Nikollës

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2023, 19:23 | Politikë
Flirton me mazhorancën, PDIU bashkon votat me PS, 78 kundër shkarkimit

Edi Rama ia plotësoi dëshirën demokratëve duke shkuar në seancë plenare, por jo për të diskutuar për çështjen McGonigal. Ekskluziviteti i prezencës së tij të parë për vitin 2023 në parlament lidhej me mbështetjen që donte t’i jepte Lindita Nikollës kur u shqyrtua kërkesa për shkarkimin e saj.

Ndonëse nuk tha asnjë fjalë, prania e tij mbushi sallën me socialistë pasi mbrojtjen Nikolla zgjodhi ta bëj vetë duke quajtur kërkesën për shkarkim si trysni e halleve të brendshme të PD.

“Pasi u njoha me këtë kërkesë, unë ndalova dhe fillova të reflektojë, por më rezultoi se acarimet dhe konfliktet në kuvend nuk kanë ardhur për shkakun tim. Jo rrallë herë edhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve të tuaja të brendshme. Prandaj nuk e paragjykoj këtë kërkesë si një dobësi tuajën përballë halleve të brendshme të partisë”, tha Nikolla.

Votat për të konfirmuar në detyrë Nikollën ishin mëse të mjaftueshme dhe kërkesa e demokratëve u rrëzua nga 78 deputetë, dy më shumë sesa njerëzit e mazhorancës prezentë në sallë. Pro shkarkimit shkuan 3 vota, por vetëm dy deputetë të opozitës, Bylykbashi dhe Vasili rezultojnë të kenë marrë pjesë në votim. Qëndrimet e tyre janë publikisht kundër Nikollës.

Logjika e shifrave paraqet dy skenarë. Në rast se 76 deputetët e mazhorancës që ishin në sallë kanë qëndruar kompaktë në favor të kryeparlamentares, me ta janë bashkuar edhe 2 nga 3 deputetët e PDIU.

Opsioni tjetër është që kundër Nikollës të ketë shkuar edhe një votë nga shumica e majtë dhe në këtë rast ajo të ketë marrë mbështetjen e të tre deputetëve të PDIU që votuan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos