
Edhe seanca plenare e kësaj të enjteje nuk i shpëtoi revoltës së deputetëve të opozitës të cilët kërkojnë të ballafaqohen me Kryeministrin Edi Rama për çështjen McGonigal. Në sirtarët e punës së kryetares së kuvendit qëndrojnë kërkesat e demokratëve për interpelancë, mocion me debat dhe komision hetimor që nuk kanë marrë ende një zgjidhje.
Ky qëndrim i unifikuar i dy grupimeve brenda PD-së bëri që socialistët të caktonin datën 2 mars për t’u përballur në debat me opozitën, kohë kjo që mjafton edhe për ezaurimin e masës disiplinore ndaj Sali Berishës.
Unifikimi i opozitës nuk rezistoi përballë strategjisë së ndjekur në seancat e fundit për të bllokuar punimet normale në seancë. Ndërhyrjet e njëpasnjëshme për procedurë shoqëruar me fërshëllimat e bilbilave që vinin nga deputetët e Berishës, nuk u mbështetën nga demokratët e grupimit tjetër.
Ndryshe nga Nikolla,n/kryetarja Felaj që drejtoi seancën zgjodhi tjetër taktikë, duke lejuar të shfryhej debati. Seanca që pritej të mbyllej në më pak se dy orë, zgjati përtej parashikimeve dhe kaloi në sherr mes vetë demokratëve.
Aftmosfera zhurmuese shoqëroi të gjithë seancën parlamentare që nga nisja e saj, ku nuk mungoi as përdorimi i një pajisjeje zhurmuese për të bllokuar fjalën e deputetëve.
Në fund, Ermonela Felaj në cilësinë e drejtueses së seancës përjashtoi Edmond Spahon 20 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Sorina Kotin dhe Elda Hotin me nga 10 ditë. (A2 Televizion)