Kërkesa e opozitës për shkarkim, Nikolla: E bazoni në interpretime, nuk intimidohem kurrë

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2023, 15:49 | Politikë
Kërkesa e opozitës për shkarkim, Nikolla: E bazoni në

Me fërshëllimat e bilbilave të disa prej deputetëve në sfond, kryeparlamentarja Lindita Nikolla po mban pasditen e së enjtes qëndrimin e saj pas kërkesës që opozita ka bërë për pezullimin e saj nga detyra që mban.

Ndër të tjera, Nikolla u shpreh se kërkesën e opozitës nuk e paragjykon, por shtoi se bazohet në interpretime dhe jo në fakte.

“Prita me qetësi kërkesën e 28 deputetëve për shkarkimin tim...Pasi u njoha me këtë kërkesë, fillova të reflektoj. Ktheva kokën për të parë ku kisha gabuar. Por, më rezultoi se acarimi dhe konflikti në Kuvend, nuk kanë ardhur për shkakun tim, por jo rrallëherë dhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve tuaja të brendshme. Prandaj, nuk e paragjykoj këtë kërkesë, si një dobësi tuajën përballë trysnive dhe halleve të partisë, por si e drejta juaj në rrethanat tuaja, prej emocioneve tuaja, prej ambicieve tuaja.”

Kryeparlamentarja Nikolla deklaroi se ndihet e prekur nga kërkesa, por theksoi se asaj i mungon themeli. Sipas saj, opozita ka shpikur një kauzë artificiale dhe e mbështet kërkesën në interpretime.

Kryetarja e Kuvendit i kujtoi opozitës se jo rrallë herë në drejtim të saj është përdorur gjuhë jo etike, por ajo shtoi se nuk do të përgjigjet me të njëjtën monedhë.

Nikolla i siguroi ligjvënësit e opozitës se pavarësisht kërkesës, zyra e saj do të jetë gjithnjë e hapur teksa theksoi se është detyra e saj që të qëndrojë me vetëpërmbajtje mbi palët.

Kujtojmë se procedurën për shkarkimin e Lindita Nikollës e nisi Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Grupi i PD-së bëri të ditur se procedura u nis  “për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit.”

Ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj i cili kryeson edhe Grupin Parlamentar, akuzoi kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se e mbylli seancën plenare të 26 janarit për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama.

Kërkesa për shkarkimin e Nikollës u firmos nga 28 deputetë të opozitës, mes të cilëve u bashkuan edhe katër deputetë nga grupimi i kryedemokratit Sali Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/26/grupi-parlamentar-i-pd-se-nis-proceduren-per-shkarkimin-e-lindita-nikolles/

A2 CNN Livestream

Latest Videos