
Fondacioni bamirës i Donald Trump do të shkrihet pasi u përfshi në një skandal për abuzimin me fondet. Prokurori i Nju Jorkut e akuzon organizatën se ka përdorur paratë për të paguar borxhet e Trump dhe për ta ndihmuar atë të fitojë Shtëpinë e Bardhë.
Fondacioni Trump u krijua fillimisht për të dhuruar para për kauza bamirësie. Por Donald Trump ndaloi së kontribuuar me fonde personale një dekadë më parë, dhe në vend të kësaj u mbështet në paratë e të tjerëve si p.sh Linda McMahon e WWE, e cila së bashku me bashkëshortin e saj dhuruan 5 milionë dollarë.
Prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut dyshon se paratë nuk shkuan për kauza bamirësie, por ndihmuan në pagimin e kreditorëve të Trump dhe që ai të fitonte Shtëpinë e Bardhë. Ai mohon që fondacioni të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar.
Sipas Washington Post, fondacioni Trump dyshohet se ka paguar 12 mijë dollarë për një helmetë futbolli të nënshkruar nga ylli i ekipit Denver Broncos, Tim Tebow. Gjithashtu dyshohet se ka paguar 30 mijë dollarë për dy portrete të Trump.
Sipas David Fahrenthold, gazetar i Washington Post: “Trump e përdori fondacionin për të blerë gjëra që nuk duhej t’i kishte blerë, gjëra për të cilat duhej të paguante me paratë e tij. Ai përdori paratë e fondacionit bamirës për të blerë”.
Padia e prokurorit të përgjithshëm e akuzon Trumpin dhe 3 fëmijët e tij që drejtojnë organizatën për veprimtari të paligjshme të vazhdueshme. (A2 Televizion)