Kryeministri belg Charles Michel kërkoi dorëheqjen një ditë pasi një prej partnerëve kryesorë të koalicionit u largua mes përplasjeve për çështjen e emigracionit. Michel humbi mbështetjen e Aleancës së re flamande, pasi dha miratimin e tij ndaj një pakti të ri të OKB për emigracionin i nënshkruar në Marrakesh javën e kaluar.
Kryeministri kërkoi mbështetjen e partive opozitare për krijimin e një koalicioni të vullnetit të mirë, siç e cilësoi, deri në zgjedhjet e 26 majit. Por në atë që u konsiderua një ditë dramatike në parlamentin belg, partia socialiste refuzoi ta mbështeste një propozim të tillë.

Si kundërpërgjigje Mishel surprizoi duke thënë se do të jepte dorëheqjen.
“Thirrja ime nuk ishte bindëse, nuk u dëgjua. Vendosa t’i kërkoj menjëherë dorëheqjen mbretit”, deklaroi kryeministri që erdhi në detyrë në tetorin e vitit 2014-tës, pasi formoi një koalicion të djathtë, duke u bërë në moshën38 vjeçare kryeministri më i ri i Belgjikës që prej 1841-shin.
Ai mund të qëndrojë si kryeministër në detyrë deri në shpërbërjen e parlamentit në muajin prill. (A2 Televizion)