
Operacioni Forca e Ligjit nisi këtë të hënë me dërgimin e formularëve subjekteve të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë. Specialët e anti KCK nuk dolën në terren por dërguan fillimisht formularët në kompleksin Golden të personave të arrestuar për pengmarrje e që sipas aktit normativ ka vetëm 48 orë kohë për të justifikuar të ardhurat dhe me çfarë parash është ngritur biznesi.
Nga ana tjetër burime pranë policisë thanë se 12-të drejtoritë vendore kanë dërguar në Departamentin e Policisë Kriminale lista me emrat e personave që sipas tyre dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete kriminale dhe që kanë krijuar pasuri të jashtëligjshme. Këto lista, janë përgatitur dy muajt e fundit, dhe pas Policisë Kriminale do të dërgohen në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Paketa ligjore mbi të cilën është ngritur anti-KÇK, parashikon që për subjektet dhe bizneset të cilat nuk justifikojnë dot pasurinë dhe të ardhurat, dosja e tyre do të shkojë në SPAK, të cilës i jepet 15 ditë kohë, dhe 15 të tjera do i jepen Gjykatës që të shprehet me vendim për vendosjen e sekuestros.
Deri në këto momente, janë rreth 250 subjekte të cilat do të kalojnë në filtrat e Operacionit Forca e Ligjit, dhe që kryesisht janë në qarqet më të mëdha të vendit. Verifikimi do të bëhet deri tek palët e treta të cilat mund të jenë lidhje gjaku apo edhe lidhje shoqërore, e që mund të bëhen mburojë për fshehjen e pasurive të paligjshme. (A2 Televizion)