Sekuestro e parë e OFL, pronat e Altin Hajrit

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2020, 19:32 | Kronikë
Sekuestro e parë e OFL, pronat e Altin Hajrit

Një kompleks shërbimesh dhe një pikë karburanti në pronësi të Altin Hajrit, një prej personave të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës, janë dy pasurisë e sekuestruara të parat nga Operacioni Forca e Ligjit, të ndërmarrë pas miratimit të ligjit special nga e Qeverisë.

“Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur sekuestron e parë mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden" dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Bajram Hajri”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Hajri rezulton gjithashtu i dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15.08.2015, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Policia sqaron se tanimë, në përputhje me ligjin e ri, dosja pasurore e Hajrit do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri. Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos