Formula 1, prezantohet Alfa Romeo e Raikkonen dhe Giovinazzi

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2021, 16:37 | Sporte të tjera
Formula 1, prezantohet Alfa Romeo e Raikkonen dhe Giovinazzi

Alfa Romeo prezantoi makinën e re për Botërorin 2021 në Varshavë. Eventi u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas në kryeqytetin polak, për nder të sponsorit kryesor të skuadrës.

Kimi Raikkonen dhe Antonio Giovinazzi, zbuluan njëvendëshen e re: ata janë një prej dysheve të pakta të pilotëve të konfirmuar në Formula Një dhe do të garojnë në sezonin e tretë me skuderinë. Makina C41 e Alfa Romeos është zhvilluar bazuar në makinën e edicionit të kaluar dhe do të mbështetet te fuqia motorike e Ferrarit.

Drejtuesit nuk kanë vendosur objektiva të qartë, rreth asaj që kërkojnë nga edicioni i ri. Synimi është që performancat në pistë të përmirësohen hap pas hapi, në mënyrë që skuadra të pozicionohet në mesin e renditjes, ndryshe nga viti 2020, ku u klasifikuan të tetët në Botërorin për konstruktorë.

Përkrah Raikkonen dhe Giovinazzi, në prezantimin e makinës së re ishte i pranishëm edhe piloti i tretë, Robert Kubica. Alfa Romeo bëhet skuderia e tretë që zbulon makinën e sezonit të ri, pas McLaren dhe Alpha Tauri. Pritshmëritë janë për pretendentët, Ferrari njoftoi se më 26 shkurt do të prezantojë pilotët Charles Leclerc e Carlos Sainz Jr., ndërsa për njëvendëshen e re të “kokëkuqes” duhet pritur data 10 mars. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos