
Policia e Shtetit mori në mbrojtje oficerin, foto e të cilit u gjet në celularin e Nuredin Dumanit si shënjestra e radhës për t’u eliminuar. Prej tri ditësh tashmë familja e ish-shefit të seksionit për hetimin e krimeve të rënda në Policinë e Elbasanit është marrë në mbrojtje, ndërsa vetë oficerit i është vendosur një roje personale.
Krenar Guce i cili kishte hetuar vrasjet e viteve 2019-2021 në qytetin e Elbasanit së fundmi ishte transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër edhe drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi ka përfituar mbrojtje të veçantë. Në vitin 2021 pas arrestit të Ardian Çapjas Komisioni për Mbrojtjen e Prokurorëve vendosi marrjen në mbrojtje e dy prokurorëve të Elbasanit; drejtuesit të saj Kreshnik Ajazi si dhe Ridvan Sukës.
Së fundmi për drejtuesin e prokurorisë së Elbasanit janë vendosur tre truproja të posaçme të cilët janë të pajisur me armë të rënda. (A2 Televizion)