
Raul Jimenez, sulmuesi meksikan i Wolverhampton, pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e së dielës ndaj Arsenal-it.
Futbollisti u përplas kokë më kokë me David Luiz, duke pësuar frakturë në kafkë. Wolverhampton njoftoi se 29-vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale gjatë natës. Më tej, klubi i Premier League falënderon mjekët që kryen ndërhyrjen, ndërsa thekson se lojtari tashmë ka nevojë për qetësi, ndërsa në ditët në vijim do të jepen detaje të reja mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Në momentin e përplasjes, lojtari humbi ndjenjat, ndërsa ndeshja u ndërpre për rreth 10 minuta dhe fushën e pushtoi paniku. “Ishte e tmerrshme. Mund të shihnit fytyrat e lojtarëve për të kuptuar panikun që na kishte pushtuar”, tha pas ndeshjes trajneri i Wolverhampton Nuno Espirito Santo. (A2 Televizion)