Mourinho kryeson Premier League, Cavani rikthehet “El Matador”

Nga A2 CNN
29 Nëntor 2020, 19:50 | Futboll

Dy ndeshje të mëdha u luajtën sot në Premier League, duke treguar se ky mund të jetë një nga sezonet më të luftuar të dekadës së fundit në futbollin anglez.

Edison Cavani u rikthye të jetë sulmuesi i etur për gola që të gjithë në Itali, Francë dhe Uruguai kanë njohur me nofkën “El Matador”.

Bomberi 33-vjeçar dhuroi sot një performancë që do të kujtojë gjatë me dy gola dhe një asist për Bruno Fernandes  që i dhuruan fitoren 2-3 Manchester United pas një përmbysje të çmendur në transfertë ndaj një ekipi të fortë si Southampton.

Chelsea-Tottenham, ndeshje pa gola dhe emocione

Ndërkohë, në Londër derbi londinez midis Chelsea dhe Tottenham përfundoi pa gola dhe me pak emocione, por pika e fituar i mundëson trajnerit Jose Mourinho të marrë pas shumë kohësh kreun e Premier League, në përballjen me ish ekipin e tij.

Tottenham ndan kreun me Liverpool të Klop, por renditja tashmë ka pothuajse anuluar distancat, me 7 ekipe që ndahen nga 5 pikë, dhe ku Manchester United duke parë hapat false të Liverpool dhe Manchester City mund të shpresojë ende në një rikthim tek të “mëdhatë”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos