
Me maska, higjienizues dhe distancë. Për 12 milionë nxënës në Francë, që u rikthyen të enjten në banka, shkolla nuk ndryshon shumë nga ajo e vitit të kaluar.
Rregullat strikte janë në fuqi për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Matthieu Seguin, zv/drejtor shkolle, u shpreh: “Për fat të keq, në këtë ditë të parë të shkollës ka një lloj ndjesie “déjà vu”-je, megjithatë ka një progres të dukshëm, veçanërisht në përgatitjen e ditës së rikthimit në shkollë për mësuesit dhe studentët. Çështjet arsimore janë në zemër të shqetësimeve tona; jo se shëndeti është më pak i rëndësishëm, por tani jemi të mësuar me protokollet dhe kemi marrë çdo masë të mundshme”.
Me vaksinimin që tani është i mundur për fëmijët 12 vjeç e lart dhe inkurajimin e nxënësve për të marrë dozat, shkollat mund të kthehen në qendra vaksinimi. Drejtoresha Julie Bouvry tha: “Mund të bëhemi qendër vaksinimi, çka do t’i lehtësonte gjërat, por në çdo rast kemi qendra të tjera në lagje, ku fëmijët mund të shkojnë pa lënë orare”.
Në Marsejë, në jug të Francës, Presidenti Emmanuel Macron bisedoi me nxënësit e një klase fillore, duke iu kërkuar të respektojnë protokollet shëndetësore, si mbajtja e maskës apo distancimit social.
Mesatarja ditore e nivelit të infektimeve është ngadalësuar në Francë dhe qeveria synon të nisë aplikimin e dozës së tretë të vaksinës për 18 milionë njerëz, deri në fillim të vitit 2022. (A2 Televizion)