Franca sekuestron anijen ruse

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2022, 12:20 | Bota
Franca sekuestron anijen ruse

Marina franceze ka kapur një anije ruse mallrash në Kanalin e La Manshit, e cila po lundronte drejt qytetit rus Shën Pjetërburg.

BBC raporton se sipas zyrtarëve franceze, kjo anije është kapur në përputhje të sanksioneve të reja të vendosura nga Bashkimi Europian. Anija është sekuestruar dhe po drejtohet për në portin verior francez në Boulogne-Sur-Mer.

“Një anije ruse mallrash, e quajtur “Udhëheqësi i Baltikut”, që po transportonte makina, është kapur gjatë natës nga Marina franceze në Kanalin e La Manshit dhe është shoqëruar për në portin e Boulogne-Sur-Mer në veri të Francës”, tha zyrtari për BBC. “Është dërguar në portin francez pas kërkesës së qeverisë franceze, sepse dyshohet se i përket një kompanie që është sanksionuar në kuadër të masave të marra nga BE kundër Moskës”.

Forcat kufitare franceze po inspektojnë anijen dhe sipas tyre ekuipazhi i saj ka bashkëpunuar me ta.

Ambasada ruse në Francë po kërkon shpjegime tek autoritetet franceze për këtë sekuestrim, raporton Agjencia ruse e lajmeve, RIA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos