
Çmimi i Madh i Kinës, i programuar më 19 prill, nuk do të zhvillohet për shkak të epidemisë Koronavirus që ka prekur vendin aziatik.
Vendimi i marrë nga organizatorët e Botërorit të Formula 1, u hamendësua fillimisht nga mediat angleze, ndërsa tashmë ka marrë konfirmim zyrtar. Gazeta “The Times” theksonte se do të vijojnë diskutimet rreth shtyrjes apo anulimit të plotë të garës.
Spostimi i garës në një tjetër datë nuk është alternativa më e pëlqyer. Kjo për faktin se viti 2020 përbën një vit rekord për kalendarin, që për here të parë ka 22 gara. Gjithashtu, në Formula 1, pushimi tre-javor në muajin gusht cilësohet i shenjtë dhe i pandryshueshëm.
Me muajin prill që pritet të jetë muaji më i rrezikshëm në përhapjen e virusit, mbetet për t’u mësuar se kur do të jetë data e rikuperimit të kësaj gare. Ndërkohë, ndërsa Çmimi i Madh i Kinës është anuluar, Ferrari do të duhet të festojë garën e 1000-të në Formula 1 në cirkuitin e Francës që i takon 28 qershorit. (A2 Televizion)