
Oerd Bylykbashi, kandidat për deputet i Partisë Demokratike, komentoi në “Absolut 4” në A2 ftesën për bashkëpunim që kryeministri Edi Rama i bëri kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Ju po e shikoni çdo ditë se si e presin Lulzim Bashën dhe çfarë po ndodh me fushatën e Edi Ramës. Mesazhet e Lulzim Bashës krahasojini me fjalorin banal të Edi Ramës, me anekdota dhe batuta pa vlerë. Rama e kupton që po humbet zgjedhjet dhe kjo ftesë e tregon qartë këtë. Njerëzit duan ndryshim, që kupton largimin e Edi Ramës nga qeverisja”, deklaroi Bylykbashi.
Edhe analisti Afrim Krasniqi mendon se ftesa është thjesht “lëvizje elektorale”.
“Edi Ramës i mjafton thjesht fakti që ajo ftesë prodhoi lajm 3-4 ditë, nuk i duhet produkti që jep. Problemi është tjetër: ajo çfarë thotë zoti Rama dhe ajo çfarë ndodh në jetën politike sot nuk është alternativë për zhvillimin e Shqipërisë, nuk ka ide konkrete, nuk ka debate për gjërat e mëdha. Ka batuta dhe aktrim”, u shpreh Krasniqi.
Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi theksoi: “Fakti që është thënë në ditët e fundit të fushatës, tregon që ajo ftesë është bërë vetëm për fushatë. Do të ishte ideale që liderët politikë të vendit të bënin pakte për gjëra të mëdha. Të ishte pjesë e kulturës politike të tyre bashkëpunimi për çështjet e mëdha apo mos të flasësh keq për vendin te ndërkombëtarët”. (A2 Televizion)