Fushata për Tiranën, Bejko: Nënat kryefamiljare do jenë prioritet për bashkinë

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 19:58 | Politikë
Fushata për Tiranën, Bejko: Nënat kryefamiljare do jenë

Roland Bejko, kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, zhvilloi një takim me banorët e zonës së Tufinës në kryeqytet. Teksa dëgjoi shqetësimet e tyre, Bejko u prezantoi pikat e programit të tij për zhvillimin e zonave rurale.

“Lidhur me fshatrat, jo vetën që do të bëjmë 250 km rrugë që i mungojnë fshatrave, jo vetëm që do punojmë për vaditjen dhe për të nxitur prodhimin, por do të ndërtojmë edhe tregjet që do të jenë në hyrje të Tiranës. Siç është rasti i rrugës tuaj këtu, kur vjen me Rrugën e Arbrit. Do ndërtohet tregu diku në lagjen këtu afër me qëllim që qytetarët e Tiranës të vijnë të blejnë te tregu prodhim të freskët fshati. Dhe ju të mbaroni punë, të dorëzoni mallin, ta lini në frigorifer nëse nuk shitet brenda ditës. Do bëjmë subvencionim në bujqësi dhe blegtori, siç e ka për detyrë të bëjë ministria do ta bëjë edhe bashkia”, tha kandidati i Alibeajt.

Bejko premtoi se nënat kryefamiljare do të jenë një nga shtresat që do të mbështetet financiarisht nga bashkia.

“Nënat kryefamiljare do të ndihmohen nga bashkia në të gjitha mënyrat, qoftë për strehimin, ku ne, 3% që e ka me detyrim t’ua marrë bashkia kompanive të ndërtimit nuk ua merr në banesë, ua merr në lekë dhe s’ka banesa sociale. Në do ta marrim edhe në lek një pjesë, ndërsa pjesën më të madhe do ta marrim në objekt, hyrje për ata që janë pastrehë. Nënat kryefamiljare do jenë prioritet siç do jenë në prioritet për strehim edhe çiftet e reja të cilat e kanë të pamundur të blejnë një shtëpi me këto çmime që ka Tirana, se do t’i duhen 4-5 jetë punë”, u shpreh Bejko.

Pas këtij takimi Bejko takoi disa qytetarë e biznese në zonën e 9-katsheve në kryeqytet, ku u prezantua si kandidat dhe shpërndau fletushka që përmbanin programin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos