
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ishte pasditen e kësaj të mërkure në qytetin e Kavajës, ku ka kërkuar votat e qytetarëve të saj për një mandat tjetër për kandidatin e PS-së Redjan Krali në këtë bashki. Rama tha se Kavaja nuk duhet të kthehet më mbrapa duke votuar për ata që kishin marrë peng bashkinë.
Duke sulmuar Metën dhe Berishën, Rama tha se në 14 maj, të dy duhet të marrin përgjigje të qartë nga qytetarët në të gjitha bashkitë. Akuzat e Berishës për ambasadoren amerikane dhe deklaratat e tij për ministret, Rama i cilësoi si ato të një personi që ka probleme mendore.
Ndërsa përsëriti thirrjen e tij për të mos votuar personat e padëshiruar nga SHBA, Rama tha se në 14 maj ndërkombëtarët do të numërojnë votat për të parë sesa shqiptarë nuk e kanë kuptuar shpalljen non-grata të Berishës. Më tej ai u tha se gara në këto zgjedhje lokale nuk është mes qeverisë dhe opozitës por mes të ardhmes dhe së shkuarës. (A2 Televizion)