
Portretet e gjyqtarëve, hetuesve dhe prokurorëve që merrnin vendime në Shqipërinë komuniste ekspozohen në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha. Ditët e kujtesës krijojnë murin e fajtorëve që nuk kërkuan asnjëherë falje për krimet e kryera gjatë sistemit komunist.
“Kjo shtëpi në të cilën ka jetuar diktatori, mbase do të ishte koha që ta kthenim në muze të posaçëm të diktaturës. Kjo ekspozitë të jetë fillimi, një mur i vogël që përfaqëson shumë më tepër persona që kanë qenë të angazhuar në të gjitha organet represive e ato ingranazhe të regjimit komunist. Është mur përfaqësues, po le të jetë si tullë e parë dhe të shtohet me dokumente arkivore foto e dëshmi për ta kthyer në muze të posaçëm të diktaturës”, u shpreh Jonila Godole nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Janë 161 portrete, të ekspozuara në vilën e ish diktatorit Hoxha, por mes imazheve ka vende bosh, pikëpyetje që vetëm historitë njerëzore, familjarët dhe vetë viktimat e komunizmit mund t’i plotësojnë duke rrëfyer historinë e tyre.
“Edhe nëse disa emra mungojnë, kemi lënë një libër përshtypjesh dhe u lutem të gjithë të vendosin emra konkrete nëse kanë qenë të përfshirë në përndjekjen e tyre personale apo të afërmve të tyre”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun vetëm dy ditë. (A2 Televizion)