
Qarku i Fierit është një ndër zonat strategjike në Shqipëri, jo vetëm sa i përket vendndodhjes, por edhe në sajë të burimeve të naftës, energjisë, apo terrenit të favorshëm për zhvillimin e bujqësisë.
Fieri është një ndër qarqet më të mëdha në vendin tonë me një sipërfaqe prej 1.887 km² dhe një popullsi prej 278.413 banorë. Ky qark ndodhet në një pozitë gjeografike mjaft të favorshme, me dalje në detin Adriatik, e po ashtu kufizohet nga dy lumenj kryesor, Semani në veri dhe Vjosa në jug, në grykëderdhjet e të cilëve gjenden zona të mbrojtura si Parku Kombëtar i Karavastasë, ligatinat e Nartës dhe Vjosës.
Krahas natyrës së bukur nuk mungon as trashëgimia historike e arkeologjike, me parkun e kombëtar të Apolonisë apo qyteti antik i Bylisit. E mbi gjithçka Fieri ka një terren të përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, me fushën e Myzeqesë dhe Lushnjën që renditen ndër zonat me prodhimtarinë më të lartë në vend. Kësaj panorama i shtohen dhe zonat naftë mbajtëse apo burimet e shumta të energjisë.
Por, sa shfrytëzohen këto potenciale natyrore, bujqësore dhe industrial, dhe më e rëndësishmja sa arrijnë të përfitojnë banorët prej tyre? Ne jemi ndalur në bashkinë e Fierit, për të pyetur vetë banorët për problemet me të cilat ato përballën dhe çfarë presin nga pushteti vendor?
Zgjedhjet janë koha kur çdo kandidat apo pushtetar bën premtime se gjithçka do të ndryshojë me projekte të shumta. Siç janë subvencionet për bujqësinë, punësim, rrugë të reja, shkolla e kopshte. A ka ndodhur kjo në Fier?
E teksa historia përsëritet çdo katër vite me të njëjtat kërkesa dhe ankesa nga qytetarët për premtime të pa mbajtura, në dorë e kanë ata, kryebashkiakët.
Në garë për Fierin janë Armando Subashi nga radhët e partisë socialiste që kërkon një mandat tjetër, Evdar Kodheli, nga koalicioni Berisha Meta “Bashkë fitojmë” dhe Eriselda Zotaj Çelaj nga grupimi i demokratëve të drejtuar nga Alibeaj. (A2 Televizion)