
Përballjet gjyqësore lidhur me procesin përzgjedhës të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë kanë mbërritur në këtë gjykatë përpara vetëkandidatëve.
Një çështje është regjistruar dhe një tjetër është në proces, ku në një anë janë kandidatët Dhimitër Lara dhe Saida Dollani, aktualisht anëtarë të Apelit të Posaçëm dhe palë kundërshtare, Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Lara e Dollani janë kualifikuar si kandidatë për në Gjykatën e Lartë, por KLGJ nuk ka lejuar ata të kandidojnë për më shumë se tre vende vakante, referuar një rregulloreje të institucionit.
Këtë fakt dy gjyqtarët e kanë kundërshtuar në Apelin Administrativ, i cili i ka dhënë të drejtë vetëm kandidates Dollani. Duke mos qenë dakord me vendimin e Apelit, KLGJ ka vendosur ta kundërshtojë në Gjykatën e Lartë.
Në kahun e kundër, kandidati Lara i ka bërë rekurs vendimit që i pengoi kandidimin në më shumë se tre vende të lira. Aktualisht, KLGJ po verifikon 23 kandidatë që synojnë 11 vende të lira në Gjykatën e Lartë. 12 prej tyre janë kualifikuar. Të tjerët janë në verifikim e sipër si edhe në pritje të procesit të vettingut. (A2 Televizion)