“Pacientët po nxirren nga spitali para kohe, ka pasoja fatale”, Spahia: Të hetohet fshehja e viktimave

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2020, 14:03 | Aktualitet
“Pacientët po nxirren nga spitali para kohe, ka pasoja fatale”,

“Virusi në Shqipëri po përhapet në lëvizje të lirë, pa ndërhyrje konkrete dhe pa ndërgjegjësim të strukturave qeveritare”. Kështu është shprehur në studion e A2 CNN, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, i cili shton se trajtimi dhe lufta ndaj këtij virusi nuk mund të lihet në dorë të Zotit.

Spahia thotë se përhapja e virusit kontrollohet vetëm përmes testimeve masive dhe jo nga strukturat, sikurse thuhet. Sipas tij, strukturat shëndetësore janë në kolaps dhe nuk e përballojnë dot fluksin e pacientëve.

“E padrejtë të thuhet që strukturat po mbajmë në monitorim. Përhapja e virusit nuk monitorohet nga strukturat. Si mund të mbahet nën vëzhgim nga struktura, kur në thelb qëndron realizimi i testimeve. Nuk ka mënyrë tjetër për të kontrolluar përhapjen. Për sa kohë kemi një numër kaq të ulët testimesh do të thotë që situata është jashtë ndikimit të strukturave shëndetësore shqiptare. Ka hapje të pakontrolluar dhe përgjegjësinë duhet ta kontrollojnë strukturat qeveritare. Këto struktura janë në kolaps dhe nuk përballojnë dot një fluks normal pacientësh dhe nuk ofrojnë një shërbim adeguat të pacientëve”.

Një tjetër shqetësim për përfaqësuesin demokrat, është edhe nxjerrja para kohe e pacientëve nga spitali, pa përfunduar rehabilitimi i plotë, që ka rezultuar me pasoja fatale.

“Ka një kohë pritjeje të gjatë që ndikon tek evoluimi i sëmundjes dhe shtimi i numrit të viktimave. Është një zinxhir që duhet të funksionojë në koordinim të plotë të hallkave të tij. Qarkullimi i shpejtë i pacientëve ka problematika të rënda, shumë pacientë po nxirren para kohe pa përfunduar rehabilitimi i plotë që reflektohet me pasoja jo të vogla dhe shpesh fatale për këta pacientë”.

Spahia ripërsëriti qëndrimin e demokratëve sa i takon fshehjes së numrit të viktimave nga qeveria, duke e konsideruar kriminale, ndërkohë që Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për këtë çështje.  

“Qeveria ka bërë politikë duke fshehur numrin e viktimave, prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim nga ana e saj. Basha bëri thirrje që prokuroria të ndërhyjë që të bëhet transparencë e plotë mbi këtë çështje, ndërsa numri i vdekjeve është kriminal dhe duhet të hetohet. Qytetarët presin nga prokuroria, jo të heshtë. U tentua me dashakeqësi të implikoheshin dhe mjekët në këtë diskutim, ata duhen lënë jashtë në këtë diskutim pasi po sakrifikojnë prej muajsh dhe me mangësi të theksuar logjistike e personale. Kush e njeh dhe është pjesë e këtij sistemi këto pacientë kërkojnë trajtim të specializuar. Pas denoncimit të Bashës organet e prokurorisë të ishin vënë në lëvizje që të hidhej dritë mbi këtë skandal. Të mos humbej kohë, të ndërhyhej që të mos tjetërsoheshin provat në këtë institucion”.

Spahia thotë se duhet të përfshihej çdo spital rajonal për të përballuar situatën me koronavirusin, pasi është humbur kohë dhe kjo ka sjellë shtim të pacientëve. Ai apeloi për ndarje të reparteve që të mos kthehen në bomba epidemiologjike.

Është humbur kohë me mospërfshirjen e sistemit shëndetësor parësor që ka reflektuar edhe shtimin e numrit të pacientë. Duhet të përfshihej dhe çdo spital rajonal për të përballuar një situatë me koronavirusin, personeli përballet çdo ditë me pacientë të prekur nga covid-i. Në reanimacionet e këtyre spitaleve ka pacientë të prekur me Covid. Duhet strategji e mirëfilltë për sigurimin e kapaciteteve logjistike dhe ndarjes së reparteve, Infektivit dhe Reanimacionit nga reparte të tjera që të mos kthehen në bomba epidemiologjike që mund të infektojë dhe repartet e tjera të pacientëve që nuk kanë covid".

Spahia vlerësoi punën e mjekëve të familjes, të cilët, sipas tij, janë të pambrojtur dhe i kanë duart e lidhura sa i takon shërbimit që mund t’u ofrojnë pacientëve me Covid.

“Mjekët e familjes vazhdojnë të jenë të pambrojtur dhe të investojnë vetë në blerjen e maskave, dorezave për higjienën e tyre. Të garantohet siguria e mjekëve të familjes dhe pastaj të merreshin masa të mirëmenduara për punën e tyre me protokolle të qarta për ofrimin e shërbimit të tyre te qytetarët, jo ato VKM që janë një paçavure e vërtetë. Mjeku i familjes i ka duart e lidhura”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos