
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, dhe ai i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, duken optimistë që Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale brenda fundit të vitit, një afat i përmendur edhe më herët nga presidenti Meta, kreu i Kuvendit Ruçi, dhe vetë ambasadorët.
Kim dhe Soreca u takuan, këtë të mërkurë, me kryetaren e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tushën, e cila u konfirmoi kalendarin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, që nis me mbledhjen e të enjtes së KED. “Kur kjo të ndodhë, atëherë Meta, Ruçi dhe Tusha do të kenë merita për ndërmarrjen e veprimeve në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, si përgjigje për kërkesën e popullit shqiptar për Reformë në Drejtësi”, shkroi Kim në Twitter pas takimit.
“Sigurimi i funksionimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese është një kusht kyç për të nisur bisedimet e anëtarësimin në konferencën e parë ndërqeveritare. Bashkimi Europian vijon të mbështesë Shqipërinë për Reformën në Drejtësi dhe i qëndron pranë, si një vend anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian”, tha Soreca.
Gjykata Kushtetuese momentalisht ka 4 anëtarë, nga 9 anëtarë që duhet të ketë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. (A2 Televizion)