Gara për rektor, 3 kandidatë synojnë zgjidhjen e krizës në Universitetin e Tiranës

Nga A2 CNN
8 Korrik 2020, 17:01 | Aktualitet
Gara për rektor, 3 kandidatë synojnë zgjidhjen e krizës

Tre profesorë, një fizikante, një ekonomiste dhe një jurist janë në garë për drejtimin e Universitetit me të madh të vendit.

Fushata po zhvillohet në kushtet e pandemisë, ndërsa kandidatët kanë nisur prezantimin e programeve. E përbashkëta në platformën e tyre është zgjidhja e krizës 4-vjeçare në Universitetin e Tiranës dhe kthimin e legjitimitetit në këtë institucion.

Profesoria e astrofizikës, Mimoza Hafizi synon t’i kthejë nderin e humbur Universitetit të Tiranës dhe autonominë e munguar, pedagogia e ekonomisë Kozeta Sevrani thotë se do t’i japë prioritet përmirësimit të mësimdhënies, kurrikulave dhe kërkimit shkencor, ndërsa dekani aktual i Drejtësisë, Artan Hoxha premton një mentalitet të ri në drejtimin e këtij institucioni. 

Të tre kandidatët kërkojnë që politika të qëndrojë larg këtyre zgjedhjeve. Ndërkohe kriza në Universitetin e Tiranës vetëm thellohet dhe së fundmi rektori aktual Mynyr Koni ka deklaruar se nuk mund të mbahen zgjedhjet në fund të korrikut pasi nuk janë miratuar anëtarët e rinj të Komisionit Zgjedhor.

Por shkarkimi i 5 anëtarëve të mëparshme të KIZ nga rektori Koni është cilësuar antiligjor dhe ministrja e Arsimit shpalli datën e zgjedhjeve.

Në 30 korrik për rektorin e ri të Universitetit të Tiranës pritet të votojnë 760 personel akademik dhe 30 mijë studentë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos