
Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, me anë të një deklarate për mediat ka njoftuar se “për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve (KIZ), në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik”.
“Për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT për anëtar të KIZ, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik. Në këto kushte, aktualisht, në Universitetin e Tiranës, nuk është miratuar Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ), sipas kërkesave të nenit 6 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT, si e vetmja strukturë që ka përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor në UT. Kjo do të thotë që në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë të Senatit Akademik për të miratuar KIZ, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5( pesë) ish-personeli akademik i UT”, lexohet në deklaratë.
“Nga ana tjetër, 5(pesë) ish-personeli akademik i UT, të cilëve, sikurse jeni njoftuar dhe sqaruar edhe me komunikimet dhe deklaratat e mia të mëparshme, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me UT që në datën 6 maj 2020, vazhdojnë të ndërmarrin veprime dhe të nxjerrin akte në funksion të procesit zgjedhor të UT. Këta ish-personel i UT, mbështeten hapur nga të gjithë drejtuesit aktualë të njësive kryesore (dekanët e fakulteteve) të UT, në veçanti nga z.Dh.Kule dhe z.A.Hoxha. Të gjithë këta persona, kanë krijuar një konfuzion dhe një kaos total në institucion dhe në rradhët e personelit akademik të UT. Pikërisht ky kaos dhe ky konfuzion, ka prodhuar edhe këtë situatë paligjshmërie në procesin zgjedhor në UT”, shton Koni. (A2 Televizion)