
Fundi i këtij muaji, data 30 korrik, do të përkojë me procesin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës.
Universiteti pritet të ketë fytyrën e re të drejtimit, Senatin dhe rektorin e ri, çka me gjasë do të thotë menaxhim dhe drejtim ndryshe. Të formalizuar tashmë në garën për kandidat për postin e rektorit të UT-së janë Artan Hoxha dhe Mimoza Hafizi, të cilët kanë shpalosur platformën e tyre në orët e fundit në ekranin e A2 dhe sot, për të ndarë gjithashtu qëndrimet e idetë e saj për këtë garë, ishte në studion e “Ditari” prof. dr. Kozeta Sevrani, pedagoge e informatikës dhe e sistemeve të informacionit të menaxhimit.
Sevrani është përfshirë në projekte të ndryshme ndërkombëtare si dhe ka prezantuar punën e saj në konferenca të shumta vendase dhe ndërkombëtare. Ajo është në bordin editorial të disa revistave ndërkombëtare, ku rezultojnë dhe punët e saj shkencore si dhe është bashkautore e një monografie dhe 4 librave. Ajo që vlen të përmendet është edhe eksperienca në mësimdhënie në universitete të huaja si në Suedi, Austri, Norvegji e Kosovë. Por, në vitin 2017, Sevrani u emërua dhe kryetare e Këshillit të Statistikave, një profil eksperience edhe në drejtim.
“Vendimmarrja për të kandiduar nuk ishte e lehtë sepse bëhet fjalë për institucionin më të rëndësishëm arsimor. Unë kam eksperiencë në drejtim, por ajo që më shtyu për të kandiduar janë problematikat e hasura vitet e fundit në Universitetin e Tiranës”, tha Sevrani.
“Dua të krijoj një ambient kreativ, të përshtatshëm për pedagogët dhe studentët. Gjithashtu, dua të siguroj kurrikulat më bashkëkohore, të orientuara nga tregu i punës. I rëndësishëm do të jetë edhe kërkimi shkencor”, shtoi Sevrani. (A2 Televizion)