Gara për rektorin e UT, Hoxha: Universitetit i duhet rikthyer legjitimiteti

Nga A2 CNN
7 Korrik 2020, 10:41 | Aktualitet
Gara për rektorin e UT, Hoxha: Universitetit i duhet rikthyer legjitimiteti

Për dekanin e fakultetit të Drejtësisë dhe tashmë kandidat për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës, Artan Hoxha, 4 vitet e fundit kanë pasur vetëm një aspekt pozitiv. “Kuptuam se si nuk duhet të menaxhohet një institucion si Universiteti i Tiranës”.

Kandidatja tjetër për atë post, Mimoza Hafizi, ka shpallur moton e saj (“T’i rikthejmë nderin universitetit”) për fushatën që duhet të përmbyllet me zgjedhjet e 30 korrikut, por Hoxha nuk mendon se zhvillimi i një institucioni aq të rëndësishëm mund të përmblidhet në një slogan.

“Nuk më rezulton që universiteti të ketë humbur nderin. UT ka vetëm një problem, zbatimin e ligjit. Unë, si jurist, dua t’i rikthej institucionit ligjin dhe funksionimin e ligjit”, thotë ai për A2.  

Ngërçi është i identifikueshëm në figurën e rektorit Koni. “Më vjen keq që kam qenë dekani i Drejtësisë në 4 vite ku rektori nuk ka pasur dëshirë të drejtojë universitetin”, thotë ai.

Për të problemet më të mëdha kanë qenë “mënyra e drejtimit dhe funksionimit, mosrespektimi i autonomisë institucionale, përqendrimi i pushtetit në një dorë”, dhe shton se “sot kemi vetëm statutin dhe disa rregullore ndërkohë që mungojnë rregullorja e funksionimit të institucionit dhe akte të tjera që heqin mëdyshjet dhe interpretimet. Mbledhja e Rektoratit pothuajse nuk ka funksionuar fare”.

Një nga objektivat e shpallura të Hoxhës do të jetë rikthimi në UT i të gjithë organeve, duke filluar nga respekti për pedagogët.

Ai beson se edhe pse rektori aktual po mundohet të ngadalësojë procesin zgjedhor, me mos aprovimin e komisionit të apelimit, organet e tjera zgjedhore tashmë funksionojnë dhe ka kohë të mjaftueshme që zgjedhjet të mbahen rregullisht më 30 korrik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos