Virusi “fluturues”, ekspertët: Covid-19 përhapet nga ajri, maska domosdoshmëri

Nga A2 CNN
6 Korrik 2020, 17:24 | Aktualitet

Virusi “fluturues”, kështu po cilësohet së fundmi Covid-19, ku studimet e 240 shkencëtarëve nga vende të ndryshme të botës kanë arritur në përfundimin se koronavirusi përhapet nga ajri.

Sipas tyre, virusi qëndron pezull në ambiente të mbyllura dhe infekton çdo person që thith ajrin e kontaminuar. Edhe specialistët në vendin tonë po vënë re një përhapje të madhe të infeksionit dhe rritje të rasteve të rënda. Mushkëria është organi që goditet i pari nga Covid-19.

Silvana Bala, shefe e shërbimit të pneumologjisë

"Është një virus që ka një përhapje shumë të madhe. E kanë quajtur kohët e fundit virusi "fluturues", i cili në rrugën aerogjenë vendoset në mushkërinë e individëve, duke shkaktuar sëmundjen, e cila është shumë e pabesë. Shkakton ndryshime të shpejta, qoftë në simptoma, në larminë e tyre deri në rëndimin e gjendjes shëndetësore. Është virus që jep dëmtime të rënda në mushkëri”, shprehet për A2 Silvana Bala, shefe e shërbimit të pneumologjisë.

Mjekja thotë se çdo simptomë e koronavirusit duhet raportuar te mjeku i familjes. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë dhe as ti drejtohen vetë farmacisë, siç ndodh rëndom në periudhat e virozave.

"Nëse qytetari e neglizhon situatën që kalon, trajtohet vetë dhe mendon se kjo gjë do kalojë. Ndodh e kundërta, gjendja rëndohet. Lidhuni me mjekun sepse ky virus nuk të lë kohë, të merr jetën, veçanërisht moshat mbi 55 vjeç që kanë dhe sëmundje të tjera. Ky virus nuk të fal”. 

Mbajtja e maskës në vende me njerëz dhe veçanërisht në ambientet e mbyllura është domosdoshmëri. Referuar mënyrës se si po përdoret ajo, mjekja e sanatoriumit thotë se nxjerrja e hundës jashtë është si të mos mbash maskë.

"Edhe nëse jeni të shëndoshë dhe nuk ndjeni asgjë. Ju nuk e dini se nga ju vjen virusi. Hundën dhe gojën duhet ta mbani brenda maskës. Nëse nuk janë mbyllur këto dy porta kryesore të virusit, nuk keni bërë mbrojtur nga infektimi”.

Edhe pse zyrtarisht spitali Covid-2 u mbyll në fund të majit, rastet e rënda dhe të dyshuarit me koronavirus fillimisht shkojnë në sanatorium. Pas ekzaminimeve dhe kryerjes së tamponit, pacientët pozitivë me Covid-19 dërgohen në shërbimin infektiv, ndërsa ata me probleme të mushkërive mbahen në sanatorium.

Ndërkohë, shkencëtarët nga 32 vende të botës i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë të ndryshojë rekomandimet për mbrojtjen nga koronavirusi, ku vendoja e maskës po shihet si një nga masat për të frenuar infektimet e reja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos