Shkarkimi i zv.kryetarëve, administrativja rrëzon tre urdhrat e fundit të Kajmakut

Nga A2 CNN
7 Korrik 2020, 19:46 | Aktualitet
Shkarkimi i zv.kryetarëve, administrativja rrëzon tre urdhrat e fundit

24 orë para se Agim Kajmaku të arrestohej, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të shfuqizojë tre urdhrat e fundit të firmosur prej tij, nën petkun e kryebashkiakut.

Bëhet fjalë për urdhrat e datës 31 tetor 2019, ku teksa ishte shkarkuar si kryebashkiak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kajmaku liroi nga detyra 2 zëvendësit e tij, Laureta Omeri e Hekuran Brahimaj dhe emëroi si zv.kryetar Gentian Picarin.

Në vendimin e shpallur këtë të hënë, Administrativja ka vendosur të pranojë padinë e bërë nga Brahimaj dhe Omeri, duke i konstatuar si absolutisht të pavlefshëm tre urdhrat e Kajmakut. Njëkohësisht Administrativja urdhëron kthimin e paditësve në detyrën që kanë pasur, si edhe u njeh të drejtën e pagës deri në rikthimin në detyrë.

Nga ana tjetër, firmosja e këtyre tre urdhrave është gjeneza e dy prej tre akuzave për të cilat po gjykohet Kajmaku në Gjykatën e Tiranës, ajo e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.

Sipas prokurorisë, ish-kryebashkiaku ka falsifikuar numrin e protokollit në urdhrat e firmosur prej tij për shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve, si edhe ka hyrë në ambientet e Bashkisë Vorë, pasi KQZ e kishte shkarkuar nga detyra.

Pas mbërritjes së dosjes në gjykim në janar të këtij viti, Gjykata e Tiranës ka zhvilluar 6 seanca për Kajmakun dhe procesi ndodhet aktualisht në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të prokurorisë.

Seanca e radhës është caktuar më 15 korrik, ndërsa pas arrestimit, brenda 72 orësh Kajmaku do të dalë para gjykatës për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë ndaj tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos