
Gjatë vitit pandemik, për të përballuar krizën, qeveria përdori për herë të parë një instrument, që ishte garancia sovrane për të ndihmuar bizneset në vështirësi. Për ta shpjeguar më thjesht, nga buxheti i shtetit u vendos një fond si garanci që bankat të jepnin kredi për kompanitë që kishin nevojë. Garancia e parë sovrane u dha për kreditë me destinacion pagat e punonjësve, ndërsa garancia e dytë për likuiditet dhe investime. Pak ditë më parë, Ministria e Financave njoftoi se do të japë një garanci të tretë sovrane vetëm për turizmin dhe fasonët, që janë edhe dy sektorët e ekonomisë më të goditur nga kriza e COVID 19. Por, a kanë funksionuar garancitë sovrane, të cilat qeveria i ka konsideruar si një ndër shtyllat për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë? A ka përfituar biznesi? A është kjo forma e duhur për të ndihmuar turizmin dhe fasonët, dy sektorë në krizë, por që kanë edhe numrin më të madh të punësuarve në Shqipëri? Për këtë temë u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në A2 Business.
Për Elton Haxhin, ish-zv.ministër i Financave, garancia sovrane është një kredi e thjeshtë për biznesin. “Më rezulton se është përthithur rreth 50% e fondit të dhënë. Suksesi dhe dështimi është i barabartë. Garancia sovrane, në fund fare, është një kredi si të gjithë të tjerat”.
Rezart Prifti, ekspert për ekonominë, u shpreh se nga garancia sovrane përfitoi vetëm biznesi i madh.
“Ajo që është bërë në Shqipëri nuk ka të bëjë me kredinë sovrane. Në dijeninë time, kredia sovrane paguhej nga shteti edhe përqindja mbi kthimin që do të bënte biznesi. Kjo nuk quhet kredi sovrane, por hajde ta quajmë kështu. Shteti duhet të rregullonte pjesën e kushtit hipotekor. Instrumenti ishte i ngjizur keq, për të përfituar një syresh njerëzish siç ndodh gjithmonë. Merr biznesi i madh 2 milionë euro kredi për likuiditet, ndërsa bën edhe 40 milionë euro fitim me taksat tona”, u shpreh Rezart Prifti, ekspert për ekonominë.
Ndërkohë, Bardhi Sejdarasi, ekspert për ekonominë, u shpreh se problemi qëndron te mos respektimi i memorandumit të nënshkruar me guvernatorin, i cili nuk u zbatua nga bankat.
“Kur është marrë vendimi ka qenë një periudhë bllokimi për shkak të pandemisë. Një pjesë të sektorëve u mbyllën edhe ofertat nga vendet e Europës apo rajonit. Përballë kësaj situate u panë të gjitha variantet dhe u gjet kjo mënyrë. Në këtë mesë nuk ka pasur oligarkë. Defekti më i madh ishte, edhe pse u bë një memorandum midis kryeministrit dhe guvernatorit të Shqipërisë, pavarësisht se nuk u deklarua publikisht, ai memorandum nuk u zbatua kurrë nga palët, nuk u respektua nga shoqata e bankave, të cilat nuk mund të pranonin një akt të firmosur nga guvernatori, i cili nuk kishte akses që të urdhëronte bankat të jepnin kredi me interes zero”, u shpreh Sejdarasi. (A2 Televizion)