Hapet ankandi për parqet eolike, Balluku: Jo tokë në dispozicion, por studim të mirëfilltë dhe kritere për kompanitë

Nga A2 CNN
21 Qershor 2021, 13:28 | Ekonomi
Hapet ankandi për parqet eolike, Balluku: Jo tokë në dispozicion,

Pas ndërtimit të parqeve fotovoltaike, Shqipëria ka shpallur sot ankandin për ndërtimin e parqeve eolike në vend, për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga era. Në fjalën e saj ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se ky është një tjetër hap për diversifikimin e energjisë së rinovueshme që do të realizohet në dy faza, ku faza e parë do të verifikohen argumentet, ndërsa në të dytën do të vlerësohen ofertat.

“Sot hapim ankandin e energjisë eolike, që jep mundësinë për parqet që prodhojnë energji të rinovueshme nga era. Ofertuesit duhet të propozojnë projekte që kanë kapacitet minimal 10 megavat dhe maksimal 75 megavat. Në total, çmimi i parafiksuar do të drejtohet për 100 megavat në total, që do blihen nga Shqipëria për konsum dhe do të jetë 75 euro tavani për megavat dhe u japim mundësi kompanive për çmimin më të ulët. Në fazën e parë, 12 muaj do verifikojmë të gjitha argumentet për eksperiencën teknike, burime financiare dhe pozitën ligjore të secilës kompani dhe në fazën e dytë do vlerësojmë ofertat financiare”.

Sipas Ballukut, ndryshe nga herët e tjera këtë herë qeveria ka zhvilluar një studim të mirëfilltë  që do t'u vihen në dispozicion kompanive. Ky studim u jep një panoramë të qartë kompanive ku duhet dhe jo të ndërtojnë, por nuk vë tokë në dispozicion dhe për këtë arsye ankandi quhet hibrid.

“Ndryshe nga herët e tjera me mbështetjen e SEKO kemi zhvilluar një studim të mirëfilltë që do t’u vihen në dispozicion kompanive dhe jep në mënyrë të qartë zonat e mbrojtura ku nuk mund të ndërtohen parqet, ato që kanë fizibilitetin më të madh dhe janë 20% e territorit shqiptar, duke u dhënë mundësi përzgjedhjeje dhe nisin nga një lartësi mbi 150 m mbi nivelin e detit. Do t’u japim indicie se ku ky investim do të ishte i favorshëm për ta dhe çmimin.  E kemi quajtur hibrid këtë ankand pasi shteti shqiptar nuk ka asnjë involvim përveç faktit që është blerësi. Këtë radhë nuk do të vendosim tokë në dispozicion pasi ne kemi vënë në dispozicion studimin, kriteret që duhet të ketë kompania dhe përzgjedhim kompanitë, por pa pasur angazhim të shtetit për tokën dhe strukturat në dispozicion”.

Gjatë fjalës së saj, Balluku përmendi edhe arritje në sektorin elektroenergjetik në vend që nga viti 2013 kur PS erdhi në pushtet.

“Sektori elektroenergjetik prej 2013 ka pësuar tranformim të thellë me rezultate të dukshme në të gjitha fushat që përfshin, duke nisur nga investimet e mirëstudiuara për të përmirësuar sistemin e shpërndarjes, për uljen e humbjeve teknike dhe deri te rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike në vend. Me mbështetje nga Berzh dhe nga ato kompani që kanë qenë pjesë e proceseve, duhet të themi që kemi arritur rezultate të shkëlqyera që na kanë vendosur në çmimet rekord të blerjes së energjisë nga parqet fotovoltaike si ankandi i Karavastasë 24 euro për megavat në 15 vitet e ardhshme dhe Spitalla 29 euro po për 15 vitet e ardhshme. Kjo eksperiencë na ka shtyrë për të vijuar bashkëpunimin me BERZH dhe për t’i dhënë ritëm tjetër energjisë së rinovueshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos