Pakënaqësi për pushuesit, turizmi kërkon lehtësimin e masave kufizuese

Nga A2 CNN
20 Qershor 2021, 14:41 | Ekonomi
Pakënaqësi për pushuesit, turizmi kërkon lehtësimin e

Masat kufizuese ende në fuqi po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Kështu shprehen hotelet, restorantet, guidat, agjencitë dhe bizneset e tjera të lidhura me turizmin, përmes një letre drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Barrierat lidhen me orën policore, moslejimin e muzikës në lokale pas orës 22:00 dhe moslejimi i eventeve me mbi 50 persona.

Unioni Turistik Shqiptar kërkon lehtësimin ose heqjen e këtyre pengesave, që sipas bizneseve po krijojnë pakënaqësi tek pushuesit.

Konkretisht, orari i kufizuar i lëvizjes ka krijuar disa pengesa për turistët që vijnë nga aeroporti pas mesnatës dhe marrin makina me qira, duke u ndalur shpeshherë nga policia dhe në disa raste duke u penalizuar.

Ndërsa muzika sipas operatorëve të turizmit duhet zgjatur së paku deri në mesnatë për të mos krijuar mërzitje tek turistët, meqë darkat janë më të frekuentuarat.

Paralelisht, Unioni Turistik sugjeron lejimin e grumbullimeve deri në 100 persona, duke respektuar protokollet, në shembull të lehtësive që kanë bërë shumë vende europiane. Kjo do të lejonte rritjen e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri dhe heqja e masave në tërësi do të krijonte komoditet për çdo pushues.

Pavarësisht shqetësimit të ngritur, fjala e fundit i takon Komitetit Teknik të Ekspertëve, që aktualisht ka lejuar hyrjen në vend të turistëve pa asnjë test. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos