
“Armiku ynë nuk është vetëm lufta, por dhe spekulimet në tregun e karburantit”. Kështu është shprehur këtë të mërkurë kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Kështu qeveria greke njoftoi se do të ndërhyjë për të mbrojtur bizneset, familjet dhe fermerët nga kjo rritje e çmimeve në mënyrë të pakontrolluar. Kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, nënvizoi se për shkak të rrethanave ekstreme, që vijnë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, duhen marrë masa të guximshme, radikale dhe të natyrës direkte për të shkëputur gjeopolitikën nga kriza energjetike.
“Ritheksojmë angazhimin tonë se mbështetja e qeverisë për bizneset, familjet dhe fermerët do të vazhdojë për sa kohë të vazhdojë kriza energjetike. Në fakt, në dhjetë ditët në vijim, besoj se do të jemi në gjendje, me ministrat bashkëpërgjegjës, të shpallim dhe nisim një program të plotë mbështetjeje shtesë, duke shfrytëzuar burimet kombëtare dhe europiane”.
Kryeministri grek i ka dërguar Komisionit Europian dhe një letër, përmes së cilës propozon që blloku të bëjë një ndërhyrje me gjashtë pika në formësimin e vlerës tregtare të gazit natyror në tregun me shumicë.
Mistotakis nënvizoi se po abuzohet me çmimet me pretekstin e krizës në Ukrainë, pavarësisht se nuk ka realisht probleme në prodhimin dhe furnizimet me karburant. Ai shtoi se e njëjta gjë po ndodh edhe me energjinë elektrike. Ndërkohë, një tjetër ndihmë financiare do të shkojë në xhepat e grekëve. Bëhet fjalë për “Shpërblimin e Jashtëzakonshëm të Pashkëve”, një çek deri në 300 euro që do të jepet nga qeveria për familjet në nevojë për të përballuar këtë shtrenjtim çmimesh. (A2 Televizion)