Dhjetëra foto me përmbajtje rrëqethëse që tregojnë transportimin për herë të parë të civilëve polakë në kampin e përqendrimit në Aushvic, të cilat nuk ishin parë kurrë më parë, janë publikuar pas 80 vitesh.
Imazhet tronditëse janë shkrepur më 14 qershor 1940 dhe tregojnë 728 qytetarë polakë duke u grumbulluar nëpër rrugë nga një burg në qytetin e Tarnow.
Fotot e publikuara së fundmi u zbuluan pasi një autor në Tarnow i mori ato nga një burrë në Kanada.
Aty civilët shihen duke u ngarkuar nëpër trena, përpara se të dërgohen në kampin famëkeq të përqendrimit, i cili ishte bërë funksional një muaj para realizimit të këtyre fotove.












Në to shihen edhe grupe ushtarësh gjermanë me helmeta që ruajnë qytetarët e dënuar.
Nga të burgosurit e dëbuar, 325 i mbijetuan luftës dhe 292 vdiqën. Fati i 111 të tjerëve nuk dihet ende.
Të burgosurit përfshinin ushtarë që u kapën në vitin 1939 kur Gjermania naziste pushtoi Poloninë. Gjithashtu kishte mes tyre priftërinj katolikë dhe anëtarë të rezistencës, si dhe studentë të shkollave të mesme dhe universiteteve, por edhe një grup të vogël hebrenjsh polakë.
Ndërkohë, deportimi masiv i hebrenjve në Aushvic filloi në fillim të vitit 1942. (A2 Televizion)